Një burrë nga Kosova, 58 vjeç, i cili ka vrarë gruan dhe kunatën e tij, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Kantonale e Argaut në Zvicër.
Bëhet fjalë për një ngjarje e cila ka ndodhur më 8 janar të vitit 2018. Burri nga Kosova, pak pasi fëmijët kishin shkuar në shkollë, hyri në dhomën ku ndodhej gruaja e tij dhe e sulmoi me një thikë kuzhine.
Po ashtu ai sulmoi edhe kunatën e tij, e cila kishte ardhur për vizitë në shtëpinë e tyre. Të dyja viktimat ishin nga Shqipëria.

Për këtë vepër, është gjykuar vitin e kaluar. Pas dëshmive të shumta, është zbuluar se burri nga Kosova e ka vrarë gruan pas dyshimeve se ajo e tradhtonte.

Ai është shpallur fajtor për vrasjen e dyfishtë të kryer më 8 janar 2018 dhe duhet t’u paguajë paditësve privatë një shumë prej 200 mijë frangash zvicerane (210 mijë Euro).
Gjykata e Lartë e ka konfirmuar vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Qarkut në Brugg, por i pandehuri nuk është pajtuar me vendimin duke pretenduar se vrasjen nuk e ka kryer në gjakftohtësi, por në gjendje të rënduar psikologjike.





