Dhunës së efektivëve në përpjekje për të kapur protestuesit që dëmtuan dekoret festive në sheshin Liria, nuk i ka shpëtuar as korrespondenti i Syri Tv në Durrës, gazetari Aldo Mustafa, një natë më parë.
Mustafa shkruan në Facebook se ndodhej gjatë një raportimi live, kur efektivët e policisë po dhunonin një kalimtar të rastësishëm, duke i përplasur kokën dhe qëlluar me grushta, dhe më pas polici ka ushtruar dhunë edhe mbi gazetarin.
“Protestat e mbajtura këto ditë, kanë emërues dhunën e policisë ndaj qytetarëve dhe nuk i “fus të gjithë në një thes”, por efektivë si ai që ushtroi dhunë ndaj meje vetëm se po raportoja të vërtetën, janë shkaki përse prej tre ditësh vendi nuk gjen paqe.“, shkruan më tej gazetari Mustafa.
Kujtojmë që edhe montazhieri i DurrësLajm, Shefqet Duka, u ndalua nga policia një natë më parë teksa po kthehej në shtëpi, pasi kishte përfunduar orarin e punës dhe pas dy orësh në komisariat u la i lirë.
POSTIMI I PLOTË
Protestat janë një kundërshtim i vendosur për një padrejtësi a për një veprim të paligjshëm dhe shprehja në mënyrë të prerë e mospajtimit me diçka. Por dhuna nuk është protestë dhe as e drejtë nga asnjëra palë, qoftë ajo nga protestuesit apo dhe forcat policore.
Gjatë një raportimi mbi 3 orë nga protesta në qytetin e Durrësit, që në nisjen e saj dhe deri në përfundimin pas shpërndarjes nga Forcat Shqiponja, jam përpjekur të raportoj të drejtën pa e deformuar asnjë pjesë të saj. Policia në qytetin e Durrësit nuk ushtroi dhunë pavarësisht se përballë syve të mi, ata u qëlluan me sende, shashka dhe u ofenduan.
Siç pati polic të tillë, ashtu pati edhe protestues të cilët kërkuan vetëm protestën paqësore dhe u përpoqën të nautralizonin situatën. Por momenti i shpërndarjes së protestuesve shkaktoi dhunën për të cilët sot u protestua. Gjatë shoqërimit të disa të rinjve, kam qenë në transmetim live në Syri Tv ku u trasmetuar dhuna e cila në disa raste sot u ushtrua padrejtësisht ndaj disa kalimtarëve të rastit.
Për të mos mbetur me kaq, agresiviteti i pakuptimtë i një prej policëve në uniformë u kthye edhe ndaj meje vetëm sepse ato skena dhune ku një kalimtari të rastësishëm iu përplas koka dhe u qëllua me grushta, u transmetua live dhe kjo i jepte të drejtën një polici të ushtronte dhunë edhe mbi gazetarin që në këtë rast isha unë.
Protestat e mbajtura këto ditë, kanë emërues dhunën e policisë ndaj qytetarëve dhe nuk i “fus të gjithë në një thes”, por efektivë si ai që ushtroi dhunë ndaj meje vetëm se po raportoja të vërtetën, janë shkaki përse prej tre ditësh vendi nuk gjen paqe.
Episodin e sotshëm të dhunës ndaj qytetarit dhe gazetarit nuk do ta lë me kaq pasi individë të tillë, hedhin baltë mbi punën e kolegëve të tyre. Sot vërtetova vetë mbi kurrizin tim padrejtësinë që bëhet dhe falenderoj gjithashtu dhe policët të cilët ndërhynë për të larguar “barin e keq” në radhët e tyre.





