Presidenti Ilir Meta ka dënuar edhe njëherë dhunën e ushtruar nga policia ndaj gazetarëve. Rasti më i fundit është ai i kryeredaktorit të “Koha Jonë” Qamil Xhani që është shoqëruar për disa orë në komisariat, pasi u ndalua pranë ambienteve të redaksisë. Ndërkohë në Durrës, policia ndaloi dhe akoma mban në komisariat montazhierin e DurrësLajm, Shefqet Duka, i cili sapo kishte përfunduar turnin e punës dhe po kthehej në shtëpi.

Meta shkruan se “Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias.”

“Dënoj me forcë përsëritjen e rasteve të dhunës së shëmtuar dhe të dënueshme, të ushtruar ndaj gazetarëve, nga ana e efektivëve të caktuar të Policisë së Shtetit.

Dhunimi i kryeredaktorit të “Koha Jonë”, z.Qamil Xhani, pranë ambienteve të redaksisë dhe ndalimi i tij për disa orë, është tregues se dhuna ndaj përfaqësuesve të medias dhe shoqërisë civile është e frymëzuar dhe e organizuar në nivelet më të larta të Qeverisë dhe Policisë.

Përsëris thirrjen publike dhe e nxis Prokurorinë të reagojë menjëherë dhe të vendosë para përgjegjësisë ligjore, pa më të voglën zvarritje, frymëzuesit dhe autorët e dhunës ndaj gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias.

I ftoj të gjitha organizatat ndërkombëtare të gazetarëve të reagojnë në mbrojtje të kolegëve të tyre në Shqipëri.

I garantoj të gjithë gazetarët e lirë dhe të pavarur se, NUK DO TË LEJOJ KURRË INSTALIMIN E MODELIT LUKASHENKO NË SHQIPËRI.”

Dënoj me forcë përsëritjen e rasteve të dhunës së shëmtuar dhe të dënueshme, të ushtruar ndaj gazetarëve, nga ana e…

Posted by Ilir Meta on Friday, December 11, 2020