Tensionohet situata para Drejtorisë së Policisë Durrës. Të rinj dhe minorenë kanë mundur të hedhin kapsolla brenda drejtorisë së policisë, kanë derdhur kazanët e mbeturinave, ndërsa me thirrjet “Hiqni uniformat” kanë vijuar protestën e thirrur në rrjete sociale.
Ndërkohë, bie në sy që në protestë kanë qenë edhe fëmijë të mitur.
Fillimisht efektivët e policisë ishin pozicionuar brenda rrethimit të Drejtorisë, por më pas disa prej tyre kanë nisur të dalin në sheshin para godinës.
Kjo ka bërë që thirrjet dh sharjet e të rinjve të jenë edhe më të shumta.
Ecuria e protestës
Dhjetëra të rinj durrsakë, por edhe vajza, gra dhe nëna kanë zhvilluar pasditen e sotme një marshim proteste kur kanë përsëritur thirrjet: Drejtësi për Klodianin! Poshtë diktatura! etj.
Marshimi me qirinj në duar dhe me disa protestues që mbanin mbi supe flamurin kombëtar nisi nga sheshi “Liria” dhe vazhdoi përgjatë rrugës “Aleksandër Goga” drejt Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës.
Në disa vende, të rinjtë, në shenjë proteste u vunë flakët kazanëve të mbeturinave., ndërsa në disa raste i kanë përmbysur në rrugë duke bllokuar aksin, në të cilin është bllokuar qarkullimi i automjeteve.
Për disa momente ata u ndalën para prokurorisë së rrethit Durrës ku përsëritën thirrjet “Policia e turpit”, “Policia nuk dhunon” etj.
Aktualisht ata janë mbledhur të gjithë para drejtorisë së policisë Durrës.





