16 trupa pajetë janë nxjerrë prej rojes bregdetare greke gjatë natës në brigjet e ishullit të Mitylinit në Egjeun lindor.
Sipas burimeve lokale, një varkë me të paktën 45 emigrantë të paligjshëm në bord u përplas në brigjet e ishullit dhe si pasojë të gjithë emigrantët që ndodheshin në të, ranë në det.
Menjëherë në zonë mbërritën forcat e rojës bregdetare greke si dhe helikopterë të marinës dhe ushtrisë helene, por nxjerrja e tyre nga deti ishte tepër e vështirë për shkak të dallgëve dhe erës së fortë që arrinin deri në 8 ballë.
Deri tani janë gjetur 16 trupa të pajetë, të gjitha gra afrikane, ndërsa mbeten të zhdukur edhe 15 persona të tjerë, kurse 14 persona janë shpëtuar.
Trupat e pajetë u dërguan në morgun e ishullit ndërsa ende po vazhdon operacioni për gjetjen e të zhdukurve.
Autoritet dyshojnë se disa prej tyre mund të kenë dalë në breg dhe janë larguar në brendësi të ishullit.





