Vendoset sekuestro preventive ndaj pasurive me vlerë rreth 3.5 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale të 46-vjeçarit Albert Topuzi.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fasada”. Operacioni, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore të kryer për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme si rrjedhojë e veprimtarive kriminale, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Fasada”.

Si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, e cila bazuar në provat e grumbulluara gjatë hetimeve të kryera nga Policia dhe Prokuroria, ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetasit Albert Topuzi, 46 vjeç, banues në Elbasan.

Topuzi është autor i dyshuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarive kriminale”, pasi më parë ka qënë i arrestuar në Itali, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, në rrethana rënduese.

Në zbatim të vendimit të gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të ndryshme, me vlerë rreth 3.5 milionë euro. Konkretisht janë sekuestruar: një ndërtesë trekatëshe, një ndërtesë dykatëshe, 3 apartamente, disa automjete të llojeve të ndryshme, 4 sipërfaqe ndërtimi dhe një aktivitet tregtar (biznes) me objekt prodhimin e betonit.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.