Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat nga selia blu ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin se kanë kryer krime kundër njerëzimit në Lazarat.

Berisha tha se gjatë vizitës së tij në fshat, kishte komunikuar me banorët, të cilët i treguan për terrorin që kishin përjetuar gjatë operacioneve anti-drogë.

Berisha deklaroi se i garanton banorët se shumë shpejt do organizojë skuadra dhe grupe hetimi për të evidentuar këto krime.

“Unë u ktheva më i impresionuar se kurrë në 30 vite nga një vizitë, në Lazarat. Çfarë konstatova aty? Në bisedimet e shkurtra, konstatova se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë kryer krime kundër njerëzimit në këtë fshat. Krime të vërteta me operacionin e tyre anti-drogë. Bandat kriminale me uniformë nuk kanë ngurruar të vendosin tytën e automatikut fëmijës 2-3 vjeçar, nënës që mbronte fëmijët, kryeplakut të fshatit t’i shkrehin breshëritë pse bënte detyrën. Një terrorizëm të tillë Lazarati nuk e ka parë kurrë në jetën e tij. Unë i garantoj banorët se shumë shpejt do organizoj skuadra dhe grupe hetime për të mbledhur dhe evidentuar këto krime. Edi Ramës i them se do marrë ndëshkimin e merituar për këto krime. Ne mbetemi parti e zbatimit të ligjit, por nuk mund të pranojmë kurrë brutalitete ndaj personave pa asnjë lidhje me operacionin e tyre”, tha Berisha.