Fatjon Murati ishte shpallur në kërkim nga Policia sepse efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme.

Gjurmët e Muratit ishin gjetur në kutinë e një pistolete të sekuestruar më 13 korrik, ditën kur u zbulua edhe baza e armatimeve në Tiranë, që i përkiste Kristjan Gjinit.

Sipas dëshmisë së siguruar nga Gazetari Elton Qyno, Murati ka deklaruar se nuk ka lidhje me arsenalin e armëve, por sipas tij gjithçka është aksidentale. Murati ka deklaruar para togave të zeza se njihet me Kristjan Gjinin dhe para disa kohësh i ka marrë makinën.

Sipas tij, ai ka pastruar pjesën e pasme të makinës së Gjinit, ku ka lëvizur edhe ca kuti letre, tek të cilat dyshon se ka mbetur gishti, por ai ka thënë se nuk kishte dijeni se çfarë kishin brenda.

“…armët nuk janë të miat dhe s’kam asnjë lidhje me to. Jam i paqartë se në çfarë rrethana është ndodhur gjurma ime e gishtit në një prej kutive, ku mbahej pistoleta, por jam i bindur se gjithçka është aksidentale. Unë kam njohje me të arrestuarin Kristjan Gjini, dhe para disa kohësh këtij personi ja kam marrë borxh makinën. Makinën në pjesën e pasme të saj, e kam pastruar duke hequr disa kuti letre, por pa e ditur se çfarë kishte brenda tyre. Besoj shumë, se ky ka qenë momenti ku mund të kem lënë shenjën e gishtit në kutinë e gjendur në banesën e Kristjan Gjinit…” – ka rrëfyer në polici Fatjon Murati.

Muarti ka qenë duke lëvizur në një makinë të blinduar, me Endrit Doklen dhe kunatin e tij Gnetian Ruçi, mbrëmjen e 8 tetorit teksa u ndaluan fillimisht nga një patrullë policie të cilët u kanë kërkuar edhe kartat e identitetit. Dokle, Reçi dhe Murati, kanë dhënë dokumentet dhe më pas policia ka vijuar me verifikimin në sallën operative, ku ka rezultuar se Fatjon Murati, ishte person në kërkim si i dyshuar për mbajtje pa leje të arsenalit të armëve të sekuestruar në Tiranë.

Policia ka kontrolluar edhe makinën e blinduar të Dokles, por nuk është gjendur asnjë send i paligjshëm. Tashmë makina është sekuestruar nga Policia. Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për Muratin, ndërsa për Doklen dheReçin policia dhe prokuroria kanë vendosur lirimin e tyre.