Pas kualifikimit në fazën e 1/16-ave të Ligës së Europës, drejtuesit e Milanit do të presin fundin e dhjetorit për të bërë bilancet e para që me gjasë do të jenë pozitive.
Në fokus do të jetë strategjia e merkatos sepse synohet përforcimi i organikës nëse rast se kuqezinjtë vazhdojnë të ruajnë këtë ecuri. Sipas mediave italiane, do të ketë largime, por edhe afrime në kuadër të hapjes së tregut gjatë muajit janar.
NË LISTË IKJEJE – Leo Duarte është ndër lojtarët me valixhen gati dhe Franca mund të jetë destinacioni më i mundshëm. Braziliani nuk ka bindur për asnjë moment edhe sepse është kushtëzuar jo pak nga dëmtimet. Së bashku me të mund të largohet edhe Mateo Muzakio, i cili dje për herë të parë udhëtoi me ekipin. 30-vjeçari argjentinas mund të rikthehet në Spanjë ku disa ekipe kanë shfaqur interes për shërbimet e tij.Drejt La Ligas duket edhe Samu Kastijeho. I bllokuar nga Selemekers që i ka “vjedhur” fanellën e titullarit, 25-vjeçari mund të preferojë një klub ku i garantohet vazhdimësia. Një largim i mundshëm, mbase më tepër i detyruar nga dinamikat, është edhe ai i Hakan Çalhanoglusë.Fantazisti turk nuk po arrin një akord për rinovimin e kontratës që i skadon në qershor të vitit 2021 dhe ky fakt mund ta vërë klubin në pozita të vështira. Për të mos e humbur pa fituar asgjë, drejtuesit mund ta shesin që në janar me Atletikon dhe Interin që janë mes atyre ekipeve që kanë shfaqur më tepër interes për 26-vjeçarin në javët e fundit.
6 INTERESAT – Ndërhyrjet e para në aspektin e prurjeve do të prekin prapavijën pasi njihen nevojat e Milanit. Mohamed Simakan i Strasburgut (12 mln €), Ozan Kabak i Shalkes (15 mln €) dhe Mateo Lovato i Veronës (20 mln €) janë tre “finalistët” në audicionet e Paolo Maldinit. Zgjedhja vendimtare do të marrë formë në janar duke parë edhe kushtet me të cilat do të bëhet pagesa e secilit prej këtyre mbrojtësve, sa të rinj aq edhe të talentuar.Sipas Piolit, nevojitet edhe një zëvendës për Teo Hernandezin e ai mund të jetë Nunjo Mendeshi i Sportingut të Lisbonës. Luzitani ka një klauzolë prej 45 milionë eurosh, por kjo shifër cilësohet si shumë e lartë pasi djaloshi ka mbushur 18 vjeç vetëm 6 muaj më parë dhe është në sezonin e tij të parë si titullar në ekip.Përmirësimet e drejtorit teknik nuk do të prekin vetëm mbrojtjen. Drejtuesit monitorojnë nga afër edhe Florian Tovë që mund të vishet kuqezi falas (përflitet një akord për vitin e ardhshëm), por edhe Dominik Soboslain të cilin Salcburgu e vlerëson 25 milionë euro. Situata të ndryshme, por qëllim i njëjtë për Milanin që ka një projekt edhe më ambicioz për vijimësinë e sezonit.





