Bledi Shkëmbi i është gëzuar më në fund fitores së parë me skuadrën e Teutës. Duke folur pas sfidës me Egnatian, ai e quajti një reagim të mirë të skuadrës, por edhe një kthesë e fatit që nuk u kishte buzëqeshur deri tani durrsakëve.
“Patjetër jemi të kënaqur e të gëzuar, arritëm më në fund të fitojmë, pavarësisht se me shumë vështirësi, jo me lojën më të mirë që mund të bëjmë. Dhe patjetër që me fat, nuk duhet të harrojmë që ka kundërshtarë përballë dhe mendoj se i sotmi është ndër më të fortët e më të mirët e Superiores.
Goli i Kotobellit? Më shumë është fat, se po të ishte këmba e majtë mund të thosha diçka, por është fat e përqendrim që ai top i kthyer me këmbën e djathtë të kthehet në portë. Është rrugë e gjatë dhe fati sot nëse nuk e ke… U thashë djemve që fati do të vijë, por ne duhet të bëjmë maksimumin.
Ndihmë psikologjike nga fitorja? Ne do të tregojmë në fushë në ndeshjen e ardhshme. Në futboll duhet vazhdimësi. Patjetër që nga ana psikologjike na jep shumë, por vazhdojmë të jemi përsëri nga fundi dhe nuk kemi bërë asgjë. Kryesorja që më pëlqeu ishte reagimi i ekipit pasi deri në ato momente nuk po bënim një ndeshje të mirë. Tani këtë javë jemi ndryshe se psikologjikisht jemi më të qetë, por duhet të vazhdojmë më shumë punë e përqendrim se në futboll duhet vazhdimësi.
Çfarë mendova pas golit të Egnatias? Janë ato sekondat e momentin që po na ikën edhe një ndeshje duke humbur. Por gjithmonë në futboll duhet të besosh deri në fund, ne besuam, u munduam t’i japim diçka më tepër sulmit. Por mendoj se merita kryesore është e futbollistëve, ishin ata që u munduan më shumë dhe me fat ia dolëm ta kthenim.
Me kthimin e Jazxhi, me Kotobellin që shkon në krahun e tij, është normale e logjike që ekipi rregullohet si duhet të jetë. Në mesfushë, pavarësisht se ne vrapojmë, në momentet teknike kur kemi topin, duhet më shumë qetësi për të luajtur. E di që të mos kesh pikë e të mos fitosh, bëhet e vështirë të luash futboll siç kërkon trajneri e siç ke dëshirë. Sa i përket të ardhmes mendoj se duhet të punojmë më shumë taktikisht por edhe ana psikologjike se unë mendoj se çdo gjë fillon nga mendimi, sidomos në momentet kur ne kemi topin.
Unë e thashë që në futboll ndërrimet patjetër mundohesh të bësh të duhurat, por ndonjëherë të dalin e ndonjëherë jo. Në pjesën e dytë ishim të qartë por sidomos pas momenteve të golit, nuk më pëlqen kjo gjë se ekipi duhet të ketë të njëjtën mënyrë loje që nga fillimi. Besimi i futbollistëve, aktivizimi i Çyrbjes e Oshafit, i dhanë besim ekipit dhe fituam ndeshje të vështirë. Patjetër që do e kemi më të vështirë me një skuadër që kërkon titullin si Partizani. Vijmë nga një anë psikologjike ndryshe dhe në ndeshjen e ardhshme do të bëjmë mirë dhe padyshim që më tutje do të jemi më mirë.
Tërheqje veshit sulmuesve? Unë nuk i tërheq veshin, por i mbaj aty te porta në stërvitje që të shënojnë sa më shumë”, tha Shkëmbi





