Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), bën me dije me anë të një deklarate vazhdimin e protestës së pedagogëve duke filluar nga dita e hënë, datë 17 tetor 2022, nëpërmjet qëndrimit në ambientet e jashtme të çdo fakulteti (oborret e tyre), nga ora 10:00 – 12:00.

Ky qëndrim, sipas SPUSH, lidhet me qëllimin e tyre për të sensibilizuar institucionet/organet/autoritetet vendimmarrëse të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë për kërkesat që kanë parashtruar.

DEKLARATA E PLOTË E SPUSH:

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), në vijim të nismave publike në funksion të realizimit të misionit universitar për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë publik, nga data 15 shtator 2022 (kohë në të cilën u mbajt protesta/forumi akademik në ambientet e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, UT), vijuar me protestën/forumin e radhës të datës 5 tetor 2022 tek Korpusi i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe atë të mbajtur më datë 14 tetor 2022, në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve, në mungesë të një reagimi zyrtar nga ana e institucioneve/autoriteteve që u jemi drejtuar, deklaron si më poshtë:

1. Shpalljen e vijimit të protestës në mbarë universitet publike të vendit, duke filluar nga dita e hënë, datë 17 tetor 2022, nëpërmjet qëndrimit në ambientet e jashtme të çdo fakulteti (oborret e tyre), nga ora 10.00 – 12.00. Ky qëndrim lidhet me qëllimin tonë për të sensibilizuar institucionet/organet/autoritetet vendimmarrëse të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.

2. Sindikata i është drejtuar me një kërkesë autoriteteve drejtuese të njësive kryesore të IAL-ve Publike, me nr. 317 prot., datë 14.10.2022, që në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në respekt të stafeve akademike, ndihmës akademike dhe administrative, që kanë qenë pjesë e tre protestave publike në ambientet e universiteteve tona, të organizuara nga SPUSH, të thërrasin Asamblenë e Personelit Akademik, të quajtur në ketë kërkesë si Asamble e Përgjithshme,  duke ftuar në këtë organizëm/forum edhe punonjësit ndihmës akademikë/administrativë dhe përfaqësuesit e Qeverive Studentore, edhe pse këta të fundit nuk janë anëtarë të Asamblesë së Personelit Akademik.

3. Sindikata do t’u informojë në vijim për të gjitha hapat, që do të ndërmerren nga ana e organeve/autoriteteve të IAL-ve publike në lidhje me mbështetjen e tyre në aksionin tonë të përbashkët.

*Më poshtë, kërkesa për Drejtuesit e Njësive Kryesore të IAL-ve publike