Kryeministri Edi Rama e ka nisur javën nga zyra e Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë thotë se me këtë javë nis një rrugë e re drejt një fitoreje të re në zgjedhjet vendore që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Po ashtu, siç ka paralajmëruar thotë se do të zhvillohet një dialog me komunitetet në të gjithë Shqipërinë.
“Një ditë e re, një javë e re në zyrën e Partisë Socialiste për të nisur edhe një rrugë të re drejt një fitoreje të re, atë të zgjedhjeve vendore, në dialogun me komunitetet në të gjithë Shqipërinë për qeverisjen vendore dhe për sfidat e përbashkëta”, thotë Rama.
Kryeministri u uron të gjithë ndjekësve të tij një javë të mbarë, por edhe sa më shumë shi. Sipas Ramës shiu duhet për të luftuar me inflacionin e luftës së Putinit.
“Paçi të gjithë një javë të mbarë me sa më shumë shi mundësisht. Shiu nuk duhet të na harrojë sepse na duhet për të luftuar me inflacionin e luftës së Putinit që nuk e kemi sjellë ne, por që duhet të bëjmë çmos që ta lehtësojmë sa më shumë për të gjithë ju. Javë të mbarë”, shton kreu i qeverisë.