Policia e Elbasanit ka finalizuar dy operacione të njëpasnjëshme kundër dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Në pranga janë vënë Florjan Mustafa, Aleksandër Rira dhe Denis Çollaku, të cilët akuzohen se transportonin kundrejt pagesës emigrantë të paligjshëm që synonin kalimin drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas Policisë, Florjan Mustafa u kap duke transportuar 14 emigrantë në aksin Librazhd–Elbasan, ndërsa Aleksandër Rira dhe Denis Çollaku u arrestuan në një rast tjetër, duke transportuar 10 emigrantë. Nga verifikimet rezultoi se Aleksandër Rira drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Në total, gjatë dy operacioneve u kapën 24 emigrantë të paligjshëm, ndërsa u sekuestruan edhe dy automjetet e përdorura për këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.





