Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të martë një takim me rektorët e universiteteve publike dhe jo publike për të diskutuar mbi procesin e rankimit të tyre. Kreu i qeverisë tha se raporti i universiteteve është si nata me ditën nga aty ku është nisur, megjithatë tha se duhet të jetë si “nata me ditën aty ku duhet të shkojmë”.

Rama theksoi se është e papranueshme renditja e universiteteve shqiptare në hartën globale. Megjithatë, kreu i qeverisë tha se ka edhe një lajm të mirë sipas një analize të bërë nga qeveria, që renditja nuk pasqyron kapacitetet. Si shembull mori Universitetin e Tiranës, për të cilin tha se ka aksesuar fonde europiane dhe në disa projekte është lider.

“Edhe procesi i financimit tregon që jemi në drejtimin e duhur pavarësisht se duhet akoma më shumë shfrytëzim i hapësirës së autonomisë, jo thjesht si hapësirë lirie, por edhe si hapësirë përgjegjësie. Çështja që shtrohet sot është që pavarësisht përparimit real, konkret, pikërisht pse raporti ynë me të ardhmen është ende shumë i zhdrejtë, renditja e universitetve shqiptare në hartën globale edhe për shkak të një kohe shumë të gjatë të humbur përpara reformës, është e papranueshme. Thjesht e papranueshme. Por lajmi i mirë sipas nesh, sipas analizës së bërë dhe mbi çka rezulton impakti i reformës është që është një renditje që nuk pasqyron kapacitetet. Ky është lajm i mirë. E solla shembullin e aksesit në fondet europiane, madje në ato projekte në të cilat Universiteti i Tiranës ka aksesuar fondet europiane kemi disa projekte ku është lider Universiteti i Tiranës, që është diçka që ndodh për herë të parë”, u shpreh Rama.

Kjo sipas Ramës flet që kapacitetet i kemi shumë të mira nga çfarë tregon pamja dhe niveli i rankimeve të universiteteve.

“Prandaj gjëja që kemi vendosur është që të merremi shumë seriozisht me këtë aspekt. Dhe të merremi me këtë aspekt do të thotë të fillojmë dhe t’i ndjekim një nga një të gjitha kushtet që duhen përmbushur që nganjëherë janë kushte elementare për të pasur një rankim dinjitoz dhe shumë më pranë asaj që realisht ofrojnë kapacitetet tona akademike”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë kërkoi që nga universitetet të përmbushen disa standarde në aspektin e qasjes dixhitale duke qenë se Shqipëria rankohet e teta në Europë dhe e 19-ta në botë për shërbimet publike dixhitale.

“Një nga pikat që duket si ça është kjo është përmbushja e disa standardeve për sa i përket aspektit të qasjes dixhitale të universiteteve jo në procesin mësimdhënës, por në paraqitjen e tyre. E thënë me një fjalë, website. Në një vend që me shumë krenari e them së fundmi rankohet i 8 në Europë dhe i 19 në botë për shërbimet publike dixhitale, Shqipëria. Përfshirja e universiteteve në këtë rrjedhë dhe integrimi i universiteteve me këtë sistem, flas nga pikëpamja e kualitet besoj se është gjë e thjeshtë për t’u bërë mjafton që ne të koordinohemi dhe të funksionojmë bashkarisht në këtë drejtim se nuk ka asnjë shkencë të jashtëzakonshme në këtë pikë”, u shpreh Rama.