Është zhvilluar një takim ditën e sotme mes qeverisë dhe rektorëve të universiteteve. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shpreh se 3 vitet e kaluara kanë qenë të vështira për shkak të tërmetit dhe pandemisë, por edhe ky vit pritet të jetë i vështirë për shkak të luftës në Ukrainë dhe krizës globale.

Kushi tha se me anë të politikave të reja, studentët kanë mbështetje si asnjëherë më parë. Sipas saj, studentët ekselentë, ata që do të zgjedhin programet prioritare dhe ata që fitojnë olimpiada ndërkombëtare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursa sa paga minimale në Shqipëri.

Evis Kushi: Qeveria ka marrë masat, por përsa i takon sektorit të arsimit duhet të jemi bashkë. Pavarësisht vështirësive ne arritëm që këtë vit të kemi edhe disa politika të reja, siç ishte për shembull shpallja e programeve prioritare, një detyrim ligjor tashmë prej vitesh që ne arritëm ta bëjmë realitet falë edhe komunikimit dhe bashkëpunimit me ju. Ne arritëm të kemi mbështetje studentore si asnjëherë më parë. Tashmë studentët që do të zgjedhin programet që i kanë zgjedhur, programet prioritare, studentët eskelentë, studentët që fitojnë olimpiada ndërkombëtare do të përfitojnë përjashtim nga tarifat, por edhe bursa të barasvlefshme me pagën minimale. Asnjëherë në Shqipëri nuk ka pasur bursa të tilla për studentët shqiptarë që studiojnë brenda bendit. Kjo është një politikë që më pas këta të rinj edhe të qëndrojnë në Shqipëri dhe të japin kontribut për zhvillimin e vendit.