Janë publikuar pamjet e plota të vrasjes së Paulin Gjergjit dhe Bujar Lika, të cilët mbetën viktima e një atentati të ndodhur në maj të vitit 2020 brenda një lokali në autostradën Milot-Mamurras pranë fshatit Gjormë të Kurbinit.

Gazetari Artan Hoxha për këtë ngjarje deklaron se kjo është një vrasje e pastër me pagesë dhe një grabitje siç u pretendua. Sipas Hoxhës, Bujar Lika i njohur si Ari, ka qenë njeriu më i afërt i Ervis Martinajt.

Hoxha thekson se vrasësit janë kujdesur që të kryejnë porosinë deri në fund madje kanë krijuar edhe alibinë e grabitjes për të mos u zbuluar.

Në videon e publikuar nga Hoxha shihet të 4 autorët të cilët vijnë me maska dhe me uniforma komflazhi. I pari që hyn brenda lokalit dhe kryen vrasjen është Eduart Lamaj. Ai thërret në emër Bujar Likën, ndërsa më pas hap zjarr ndaj tavolinës ku ai ishte ulur me biznesmenin Paulin Gjergji. Sipas Hoxhës, Paulin Gjergji (Marku) nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen për shkak se ai po udhëtonte drejt Lezhës dhe është ndalur rastësisht në lokal.

Pasi Eduart Lamaj hap zjarr, ka qenë Bujar Lika që njihej si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, ai i cili kundërpërgjigjet me pistoletë duke lënë të plagosur autorin Eduart Lamaj. Pasi ndodh vrasja miqtë e Eduart Lamajt, kanë mundur ta marrin të plagosur mikun e tyre dhe të ikin, ndërkohë që njeri prej tyre ruante me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit.

Artan Hoxha thekson se autorët ishin të veshur me antiplumb, madje pikërisht antiplumbi i ka shpëtuar jetën Eduart Lamajt, pasi predhat nuk e kapën në pjesën e trupit por në këmbë.

Vetëm pak pas ngjarjes, 4 autorët shkuan në një fshat pranë vendit të ngjarjes. Aty ata kanë plagosur me armë zjarri Kreshnik Tushën për të krijuar një Alibi se ai ishte pikërisht personi që ka bërë atentatin. Për disa muaj Tusha ishte i dyshuar kryesor për policinë, për shkak të afërsisë me zonën ku ndodhi krimi dhe plagosja e tij./ABC News/