Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim është takuar ditën e sotme me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Përmes një postimi në “Twitter” Kim bën me dije se në fokus të takimit ishte bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe veçanërisht rritja e mbrojtjes kibernetike.

Më tej, ambasadorja tha sërish se SHBA dënon sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë, ndërsa shtoi se mbështetja e Amerikës nuk do të mungojë.

“Sot u takova me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi për të diskutuar bashkëpunimin në mbrojtje midis SHBA dhe Shqipërisë, përfshirë forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë. Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes në Ministerialin e NATO-s në tetor – e kanë bërë të qartë që ne i dënojmë sulmet kibernetike të ndërmarra nga Irani ndaj aleates sonë të NATO-s. SHBA do mbështesin gjithnjë me forcë përpjekjet e Shqipërisë për të mbrojtur popullin dhe territorin e saj, dhe për të kontribuar në qëllimin e NATO-s për të garantuar lirinë dhe sigurinë e të gjithë aleatëve”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.