Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme në një takim me përfaqësues të bizneseve në Gjirokastër se do të presin ecurinë e motit dhe kursimit të energjisë elektrike për të marrë një vendim nëse do të vendoset fasha 800 kWh për muajin nëntor.

Rama deklaroi se qeveria ka shfrytëzuar çdo hapësirë dhe ecuri për të mos prekur faturat e familjarëve dhe bizneseve të vogla.

“Pavarësisht se ne nuk jemi aty ku hidhen bombat, jemi nën goditjen e inflacionit të kësaj lufte të Vladimir Putinit. Të agresionit ndaj Perëndimit. Basti i Putinit është rrëzimi i Perëndimit nga dimri. Flitet sot për një dimër që do të jetë më i vështiri pas luftës së dytë botërore për Europën dhe për ne. Sepse Europës i janë kufizuar burimet e energjisë dhe ngrohjes.

 Ne jemi ende të pagoditur për fat por edhe për shkak të vendimit të qeverisë me thënë të drejtën nga rritja e çmimit të energjisë. Ju keni ende çmimet e paraluftës. Ajo që nuk duket është ajo që paguan buxheti. Qeveria është këtu për të mos lejuar që kriza energjetike që i ka çuar çmimet në stratosferë të shfaqet në faturën e energjisë elektrike të familjeve dhe bizneseve të vogla.

Edhe pse kemi vendosur një fashë mbi 800 kë që janë një numër i vogël familjesh, prapëseprapë duke parë që kishim një mundësi nuk e lamë atë mundësi për të futur duart në arkën e familjeve, Jemi duke parë nëse do krijohet një tjetër mundësi që të mos vendoset fasha në muajin nëntor. Duhet të kemi reshje. Koha është shumë e bukur, por unë jam bashkë me kolegët në qeveri me një mërzi të brendshme sa herë hapim sytë dhe nuk shikojmë re dhe shi. Duhet edhe kursim”, deklaroi Rama.