Lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit mbrëmjen e djeshme në Tiranë, pasi një patrullë policie e ndaloi, ka reaguar edhe kreu i PD-së Sali Berisha.

Në një postim në Facebook, ai e quan atë një krim të shëmtuar, duke i quajtur policët “banditë me uniformë që e torturuan dhe e dërguan pa ndjenja në komisariat.”

“Banditë me uniformë i marrin jetën të riut 32 vjeçar, Lear Kurti. Ata e torturuan shtazërisht në makinën e policisë dhe e dërguan pa ndjeja në komisariat. Vrasësit me uniformë e dërgojnë të vdekur në urgjencë. Shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes dhe dënoj me ashpërsinë më të madhe krimin e shëmtuar të kriminelëve me uniformë të Edi Ramës dhe ministrit të familjes Çuçi,” shkroi Berisha.

Ai ka publikuar edhe një mesazh që i ka mbërritur nga një qytetar, ku thuhet se i riu është torturuar nga efektivët e policisë të cilët nuk kanë lajmëruan as ambulancën kur ai është ndjerë keq, por e kanë dërguar me makinën e policisë tek Trauma.

“Pershendetje Dr. Policia e droges i merr jeten nje tjeter te riu. 32 vjecari i cili eshte ndjekur nga efektivet e droges me vrap dhe pasi e kane futur ne furgon me shume mundesi ai eshte goditur nga banditet me uniforme. Ne momentin qe ka shkuar ke komisarjati nr 3 aty ai ka humbur ndjenjat. Sipas burimeve tona banditet qe i moren jeten djalit nuk lajmruam ambulancen sic e kerkon protokolli por e kane derguar me makinen e policise prane ambjenteve te Traumes! I riu quhet Laer Kurti!” shkroi Berisha.