Pas ngjarjes së rëndë, ku një 32-vjeçar ndërroi jetë teksa po transportohej nga rajoni i policisë në spital, janë bërë me dije detaje të reja në lidhje me ngjarjen.

Në bazë të dëshmisë të punonjësve të policisë Lear Kurti, ka qenë duke lëvizur në rrugën “Riza Cuka” në këmbë vetëm.

Policia i ka kërkuar të ndalojë për verifikim. Ai është larguar me vrap dhe patrulla i është vënë në ndjekje duke e kapur në rrugën “Don Bosko” pranë një marketi. Momenti i ndalimit është i fiksuar në kamerat e sigurisë. Pas prangosjes i ndaluari ka qëndruar në një stol derisa ka mbërritur makina që e shoqëroi. Në momentet e pritjes aty kanë kaluar dhe shokë të tij që kanë komunikuar me policinë për arsyen e ndalimit.

Gjatë rrugës për në komisariat ai ka shfaqur probleme shëndetësore (dridhje dhe nxjerrje sekrecionesh). Pas mbërritjes në komisariat, duke parë që gjendja mund të rëndohej deri në mbërritje të ambulancës është transportuar nga vetë policia në spitalin e traumës. Por mësohet se 32-vjeçari ka shkuar pa shenja jete në ambientet e Traumës.

Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të zbulojë shkaqet e vdekjes. Dyshimet janë se i riu mund të ketë kaluar një arrest kardiak, por do të jenë mjekët që do të përcaktojnë saktësisht shkaqet e vdekjes së Lear Kurtit.