Teksa të rinj të Forumit të Partisë Demokratike protestuan paraditen e sotme para Ministrisë së Brendshme duke kërkuar drejtësi për 25-vjeçarin Klodian Rasha, edhe të rinjtë demokratë të Durrësit bëjnë thirrje për të mbajtur një protestë të ngjashme në qytetin bregdetar.
FRPD Durrës bën thirrje në rrjetet sociale për t’u mbledhur “Sot në orën 17.00 te shkallet e Prokurorisë Durrës. Do kërkohet: Drejtësi për 25-vjeçarin e vrarë në mënyrë të padrejtë…”
Më herët gjatë paradites, në kryeqytet demokratët e forumit rinor marshuan për disa minuta ndërsa kërkuan edhe largimin e ministrit Sandër Lleshaj nga detyra dhe lëshuan akuza edhe ndaj politikave të Kryeministrit Edi Rama.
Ky reagim i të rinjve të FRPD-së erdhi pas marshit që zhvilluan mbrëmë të rinj dhe qytetarë në Shkodër. Ata dolën mbrëmë pavarësisht kushteve të motit dhe reshjeve pas orës 22:00 në shenjë proteste. Ata ndezën qirinj dhe marshuan në rrugët e kryeqendrës së veriut për vrasjen e Rashës nga efektivi i policisë.
Klodian Rasha u vra nga një punonjës i forcave “Shqiponja” rreth orës 01:45 të mëngjesit të së martës në rrugën “Dritan Hoxha” në Laprakë. Efektivi pretendoi se i riu kishte armë në dorë dhe e qëlloi duke e lënë të vdekur. Ndërkohë, punonjësi i policisë është arrestuar dhe akuzohet për tejkalim të kompetencave për përdorimin e armës.





