Vdekja e 32-vjeçarit Lear Kurti natën e mbrëmshme është veshur me mister për shkak se asnjë prej institucioneve, Policia dhe Spitali i Traumës nuk pranojnë që ai ka ndërruar jetë brenda ambienteve të tyre.

Sipas Policisë, Kurti ka ndërruar jetë në spital ku ishte transportuar për t’u ndjekur nga afër nga mjekët, ndërkohë që Trauma bëri të ditur se ai ka mbërritur aty pa shenja jete.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, shkruan se ngjarje të tilla do të zbardheshin menjëherë nëse nga efektivët nuk do të ishin hequr kamerat e trupit.

Statusi i Karamuços

Çështja është në hetim dhe është ende herët të dalim në konkluzione, por ka disa gjëra që ne i kemi ngritur shpesh dhe policia nuk na ka dëgjuar. Asistenca dhe mbikëqyrja psikilogjike dhe e shëndetit emocional të policëve të terrenit është shumë urgjente me qëllim që ata të reagojnë në mënyrë të përgjegjshme sipas ligjit dhe procedurave standarde.

Ndihet emergjente rivendosja në funksion e minikamerave trupore operacionale të policisë së shtetit sepse do ndihmojnë shumë në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të tilla. Nuk ka ende një informacion se pse janë hequr minikamerat.

Rregulli i artë për të cilët duhet bërë shumë punë trajnuese në vazhdim me policinë është që me prangosjen e personit mbaron forca e ligjshme e përshkallëzuar. Nga ai moment fillojnë të drejtat e njeriut.

Uroj mos jemi përpara një ngjarje Rasha 2