Tre punonjësit e patrullës të Komisariatit Nr. 3, që ndaluan të riun që humbi jetën Lear Kurti, janë pezulluara nga detyra. Ky vendim është marrë nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamed Rrumbullaku për shkak të vijimësisë së hetimeve mbi rastin.
32-vjeçari Lear Kurti humbi jetën pas shoqërimit nga policia në Komisariatin Nr.3 në Tiranë mbrëmjen e së mërkurës. Ai tentoi t’i largohej policëve me vrap pas një kërkese për kontroll, ndërsa u arrestua disa metra më tej në zonën e Don Boskos. Pas shoqërimit në komisariat, ai shfaqi probleme shëndetësore dhe u transportua në Spitalin e Traumës, ku u konstatua humbja e jetës.
Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike, që dyshohet se kishte lëndën narkotike. Ekspertiza ka arritur në përfundim se ndaj Lear Kurtit nuk është shkaktuar dhunë, por vetëm shenjat e krijuara nga prangosja.