Sekretarja e Përgjithshme e RCC Majlinda Bregu, ka reaguar me një deklaratë zyrtare për mediat pas lajmit të publikuar në një media malazeze, e cila thoshte se Bregu është nën hetim për abuzim me fondet kësaj organizate.
Në reagim bëhet me dije se RCC ka nisur procesin ligjor dhe diplomatik, për të zbuluar arsyet e atyre që ajo i quan “sulmeve dhe trillimeve, ndaj organizatës dhe Sekretares së Përgjithshme”.
REAGIMI I PLOTË
RCC njihet si një organizatë serioze dhe e përgjegjshme, për këtë arsye nuk komenton as spekulimet dhe as trillimet, ndaj në respekt dhe të informimit publik, RCC ka nisur të ndjekë çështjen, duke respektuar nismat dhe hapat e duhur, përfshirë ato diplomatike, për të verifikuar arsyet pse ka nisur ky sulm e këto trillime, të pabazuara në asnjë të vërtetë.
Ky reagim vjen pas shpifjeve të bëra në artikullin e së përditshmes malazeze Vijesti, të datës 20 tetor dhe të përcjella nga disa media të tjera, si lajm i rremë (fake news), ndaj RCC-së dhe Sekretares së Përgjithshëm, Majlinda Bregu.
Ne vlerësojmë, mbështesim dhe luftojmë fort për lirinë e medias, por keqinformimi, përhapja lajmeve të rreme, shpifjet dhe trillimet nuk janë të pranueshme.
Në punën tonë, ne mbështetemi në statutin e organizatës, rregullat dhe procedurat e miratuara, duke përfshirë kodin e sjelljes, por edhe në ndershmërinë, integritetin, besueshmërinë dhe faktet. Nga këto parime duhet të udhëhiqen të gjitha organizatat dhe individët.
RCC-së është një organizatë që krenohet me punën e saj, si dhe me transparencën dhe përgjegjshmërinë e aktiviteteve të saj, të cilat ndiqen nga afër, auditohen dhe vlerësohen rregullisht nga të gjithë anëtarët e bordit, tek të cilat RCC raporton rregullisht, bazuar në Statutin e saj.
Fokusi ynë në ditët në vijim janë përgatitjet për Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit, mbi rezultatet e të cilit Sekretariati i RCC ka punuar gjatë dhe fort, me qëllim përfitimet e prekshme për qytetarët e këtij rajoni.