Ish-drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe njëkohësisht ish-ministrja për Shtetin Sonila Qato mund të merret e pendehur nga SPAK. Qato ishte ftuar për t’u paraqitur në Prokurorin e Posaçme të enjten, por ka njoftuar se nuk mundet për shkak se ka probleme shëndetësore.
Për këtë arsye i është lënë data 26 tetor për t’u paraqitur në SPAK. Deri më tani e pandehur zyrtarisht për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë është marrë Elona Gogo e cila ka qenë kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave.
Ajo është paraqitur dy ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme e shoqëruar nga avokati i saj Sokol Hazizaj ku është njohur me akuzën zyrtare dhe të gjitha aktet hetimore. Gogo akuzohet për “shkelje të bazazisë në tendera”.
Ky hetim nisi pas një nga kompania që konkurroi për të fituar tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë pretendonte se u skualifikua padrejtësisht nga gara. Po ashtu burimet bëjnë me dije se nën hetim janë edhe disa persona të tjerë që kanë qenë pjesë e Komisionit të vlerësimit të ofertave. Burime bëjnë me dije se për disa të pandehur është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës që dënohet deri në 7 vite burgim dhe shkelja e barazisë në tendera është një vepër penale që shkon deri në 3 vite burg.
Për të njëjtën çështje edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditit të bërë kërkoi që të kryhej një hetim më i thelluar nga ana e prokurorisë së Posaçme pasi ka dyshime se është abuzuar me vlerën 5 milionë Euro me tenderin e rrugës Kardhiq- Delvinë.
Në vitin 2019 në garë morën pjesë 6 kompani dhe ofertat e paraqitura prej tyre ishin nga 15 deri në 19 milionë Euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar. ARRSH në atë kohë skualifikoi 5 ofertat më të ulëta, me pretendimin se nuk përmbushnin kriteret teknike duke shpallur fituese ofertën më të lartë.