Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim vizitoi sot Gjykatën e Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,  ku u takua me gjyqtarët që punojnë aty.

Në një reagim në “Facebook”, ambasada e SHBA bën me dije se gjatë takimit ambasadorja u shpreh se nxit çdo gjyqtar dhe prokuror të vendit që të punojë me ndershmëri, duke zbatuar pa mëdyshje ligjin, ndërsa shtoi se SHBA do qëndrojë krah tyre.

“Ambasadorja Kim u takua sot me gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ajo i falënderoi ata për punën e tyre të madhe dhe tha: “Nuk mund të theksojmë mjaftueshëm rëndësinë e një gjyqësori të drejtë, të paanshëm dhe të guximshëm, jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për miqtë dhe aleatët e tyre. Shqipëria po ecën përpara, jo pa vështirësi, por megjithatë po ecën. Rruga përpara, është e vetmja rrugë për të moshuarit shqiptarë, të cilët nuk hoqën kurrë dorë nga shpresa dhe për djemtë dhe vajzat e reja, të cilët kanë aq shumë nevojë për të. E nxis çdo gjyqtar dhe prokuror të këtij vendi që ta bëjë punën e tij me ndershmëri, duke zbatuar pa mëdyshje ligjin, me guxim dhe krenari. Ne do të qëndrojmë krah jush, do të vazhdojmë të luftojmë bashkë me ju”-shkruan ambasada.