Dy persona janë arrestuar në Vlorë ditën e sotme, pasi iu sekuestruan doza kokaine dhe kanabisi, gati për shitje, dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Si rezultat i operacionit të koduar “Local” u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– A. A., 58 vjeç dhe V. V., 27 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. A., në lagjen “1 Maji”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 52 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 90 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan 1 peshore elektronike, 3 aparate celulare dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. A. bashkëpunonte me shtetasin V. V., për shpërndarjen e dozave të kokainës dhe të kanabisit, në zona të ndryshme të Vlorës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.





