34- vjeçari Indrit Ndoj, nga një fshat i Krujës, i cili u gjet i pajetë në një kanal nga familjarët, nuk është qëlluar me armë zjarri, por me një kaçavidë. Ky është rezultati që ka dalë pas kryerjes së autopsisë.

Policia e Krujës thotë se viktima është goditur me kaçavidë në arterien femorale dhe kjo është edhe arsyeja se përse në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë.

Sipas autoriteteve, autori dhe viktima janë përplasur me njëri-tjetrin dhe në një moment autori e ka qëlluar me kaçavidë në kofshën e majtë. Për pasojë, Indrit Ndoj ka humbur jetën nga hemoragjia.

Ndërkohë, policia ka rënë në gjurmët e autorit dhe thotë se është drejt zbardhjes së ngjarjes.

Kujtojmë se Indrit Ndoji u gjet i pajetë në një kanal në lagjen “Bakishe Visha”, Fushë Krujë, nga familjarët e tij, ndërsa ishin nisur për në punë.  Trupi u gjet pas orës 08.00 të mëngjesit të premten, ndërsa dyshohet se 34-vjeçari ndodhej aty i pajetë për rreth 8-9 orë.