Një 34-vjeçar, i dënuar me 13 vite burg nga autoritetet norvegjeze për trafikim të lëndëve narkotike i janë sekuestruar pasuritë me vlerë 400 mijë euro që zotëron në Elbasan.

Prokuroria e Elbasanit i ka vendosur Daniele (Oklid) Çelës masën e sekuestros preventive mbi apartamentin me sipërfaqe 59 m2 dhe verandë 80 m2,, një lokal dhe garazhi i tij, në lagjen “Visarjon Xhuvani” të Elbasanit dhe një ndërtesë dykatëshe në Peqin.

“Ministria e Drejtësisë ka transmetuar aktet e vëna në dispozicion nga autoritetet norvegjeze të drejtësisë, përkatësisht të Prokurorisë Publike të Rajonit Agder, Norvegji, me qëllim regjistrimin e procedimit penal në ngarkim të shtetasit shqiptar D.Ç., i lindur më 16.11.1988, në Elbasan, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale Pastrimi i parave”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në Norvegji, Çela është dënuar për “Trafikim të paligjshëm të drogës si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”, “Falsifikim dokumenti”, “Vjedhje energjie elektrike” dhe “Qëndrimi në mënyrë të paligjshme në një shtet të huaj më shumë se tre muaj”.

Pronat e sekuestruara

“Në zbatim të vendimit të gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të ndryshme të 34-vjeçarit, me vlerë rreth 400 000 euro, konkretisht janë sekuestruar:

1. Një Apartament me numër pasurie ……, me sipërfaqe 59 m2 apartamenti dhe 80 m2 veranda, ndodhur ne pallatin nr…shk… kati… ap.11 në lagjen Visarion Xhuvani Elbasan.

2. Një Garazh me numër pasurie …, me siperfaqe 14,6 m2, e ndodhur në pallatin nr…në lagjen Visarion Xhuvani Elbasan.

3. Një Njësi me numër pasurie … me sipërfaqe 94,5 m2 e ndodhur në pallatin nr… në lagjen Visarion Xhuvani, Elbasan,” thuhet në vendimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

4. Banesa 2 kate me sipërfaqe të përgjithshme 264 m2, ndodhur në lagjen Çesme–Peqin për të cilën është aplikuar nga shtetasja A.Ç. me formular vetëdeklarimi datë 13.01.2015.