Rudy Giuliani, avokati personal i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se “ndihet shume mirë” pas diagnostikimit me koronavirus dhe falënderoi miqtë për “lutjet dhe urimet e tyre”. 

Në postimin e tij në Twitter, Giuliani nuk i konfirmoi raportet e mediave amerikane se është shtruar në spital, por tha se “po merr kujdes të mirë”. 76-vjeçari ka drejtuar sfidat ligjore të presidentit Trump, kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, që nxori fitues demokratin Joe Biden.

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut ka udhëtuar në shtetet kyçe, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në gjithë SHBA-në.

Në disa raste madje ai është shfaqur edhe pa maskë në fytyrë. Ekipi ligjor i Trumpit tha përmes një deklarate se Giuliani kishte dalë negativ në testin e koronavirusit dy herë para udhëtimeve të tij në Arizona, Miçigan dhe Xhorxhia.

Në deklaratë po ashtu thuhet se anëtarët e tjerë të ekipit ligjor, që kanë pasur kontakte të afërta me Giulianin, do t’i ndjekin urdhrat e mjekëve të tyre dhe udhëzimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për vetizolim dhe testim.