Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar në lidhje me publikimin e të dhënave të SHISH, ku u bënë publike emrat e punonjësve të këtij institucioni.

Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Sula thekson se publikimi i emrave të SHISH tejkaloi çdo vijë të kuqe.

Sipas demokratit, rrezikohet konflikt i madh social, duke bërë që të shkërmoqet e gjithë struktura e Shërbimit.

REAGIMI I SULËS

🔴Korrupsioni i qeverisë gjunjëzoi Shqipërinë përballë hakerave dashakeq. Publikimi i emrave të SHISH tejkaloi çdo vijë të kuqe.
📍Kryeministri në mënyrë të përsëritur ka propaganduar se hakerat dashakeqës iranianë nuk kanë mundur të depërtojnë në informacionet sekrete të shtetit. Pas këtyre deklaratave, hakerat publikuan në rrjete sociale informacione nga sistemi TIMS dhe MMX. Informacione konfidenciale policore.
📍Por, me të njëjtën arrogancë dhe papërgjegjshmëri me të cilën sillet me shqiptarët, kryeministri tenton të trajtojë dështimin e rëndë të AKSHI-t. Pak ditë pasi Rama dhe ministrat e tij gënjyen në mënyrë të përsëritur se asnjë e dhënë sensitive nuk ka rrjedhur në duart e sulmuesve, hataja ndodhi.
🔴Hakerat iranianë kanë publikuar në rrjete sociale listën e plotë të agjentëve, drejtuesve e me radhë të Shërbimit Informativ të Shtetit. Lista përmban që nga raportuesit e thjeshtë deri te personat qe përdorin identitet të dyfishtë e që infiltrohen në situata që rrezikojnë jetën e tyre.
📍Publikimi i këtyre emrave mund te krijojë një konflikt të madh social. Personat që janë në këtë listë, e para do të shihen si njerëz me sëmundjen e lebrozës, ndërsa shkërmoqet e gjithë struktura e SHISH. Në këtë organ shtetëror ka persona të cilët rrezikojnë jetën pasi në kuadër të punës janë infiltruar në grupe kriminale dhe me daljen e listës së plotë jeta e tyre është në rrezik.

📍Edhe më serioze është situata nëse hakerat kanë marrë edhe informacionet e përpunuara nga çdo punonjës i SHISH. Nëse kjo është e vërtetë, e në fakt që të gjitha gjasat të çojnë se hakerat kanë çdo gjë, atëherë kryeministri ynë sduhet të harxhonte 8 orë në ditë për të ndenjur live në tv për të gënjyer shqiptarët por duhet të ishte angazhuar sadopak që të kishte marrë masat. Nëse ata kanë informacionet sekrete që raporton SHISH, atëherë siguria jonë publike është zero. Sepse arma më e fortë e armikut është njohja e pikës së dobët të kundërshtarit.
Ia kemi lënë Shqipërinë si një han pa porta grupeve kriminale. Askush nga nga funksionarët e SHISH sot nuk mund të hetojë, apo të monitorojë askënd sepse tashmë të gjithë i njohin ata.
📍Kaq muaj pasi hakerat sulmuan E-albania, kryeministri Rama nuk është marrë asnjë sekond për të zgjidhur problemin por e ka parë dhe do ta përdorë njësoj si luftën e largët të Ukrainës për të shmangur përgjegjësitë dhe për të përfituar. E përdor si rast tragjedie por ai duhet të dijë se qytetarët e kanë marrë vesh se janë mbi 200 milionë euro të investuar vetëm te AKSHI për sistemet e sigurta digitale.
📍Ndërkohë tenderat me 99.9% nuk janë ndalur. Madje së fundmi kërkojnë rritjen me 300% të rrogës, por për sigurinë askujt nuk i intereson. Ekspertët kanë nevojë vërtet për rritje page, por ata duhet të marrin edhe përgjegjësi. Nëse ata skanë patur kushtet për të përballuar sulmin, duhet të drejtojnë gishtin drejt atyre që ja kanë pamundësuar atë. Por e vërteta është që paratë nuk kanë munguar për investime në teknologji. Nëse paratë që janë destinuar për investime, janë vjedhur atëherë sërish ata që janë nën AKSHI duhet të reagojnë të parët.