Mjeku Ilir Alimehmeti, i cili ka shpallur kandidaturën e tij në Primare për bashkinë e Tiranës, i ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Frontline”, foli për “kurën” që ai mendon se do të përmirësojë situatën në kryeqytet.

Ai tha se “Tiranën e ka sëmurë pandershmëria, paaftësia dhe babëzia”, ndërsa shtoi se “kura” është ngritja e grupeve të punës me ekspertë të fushës.

“E para do shkosh me njerëz, por me një ekip, që kanë vlera dhe përgjegjësi. Disa gjëra duan kohën e vet, nuk arrihen menjëherë. Veliaj ka pasur kohë mjaftueshëm sa për të zhdukur çdo park e hapësirë që kishim. Ju i shikoni se ku jepen lejet e ndërtimit. Po shkatërrojmë dhe Tiranën Historike, mbuluam kullën e Sahatit, shkatërruam edhe Teatrin.

Ne nuk po kuptojmë, apo nuk duam të kuptojmë që situatën ne e kemi në një krizë absurde. Tiranën e ka sëmurë pandershmëria, paaftësia dhe babëzia, dhe ka çuar në një situatë të tillë, të këtij densiteti kaq të lartë.

Makthi që ne heqim përditë për të dalë me makinë nga rrugica, se nuk del dot, nuk e ka menduar kush këtë?!

Një urbanist nuk e ka menduar? Jo, kjo thjeshtë është lënë pas dore qëllimisht, ka hapësira boll ku mund të përmirësohen situata, ka situata që mund të përmirësohen që ditët e para, disa duan kohë më tepër, por për kryetarin që kemi aktualisht, 8 vite i ka pasur, kohë që mjafton.