Kryeministri Edi Rama është përfshirë sërish në debatin që ka shkaktuar vala e madhe e shqiptarëve që emigrojnë ilegalisht drejt Britanisë së Madhe.
Nga Tropoja, në një takim me fermerët, ai duke komentuar deklaratat e një gazetareje britanike, e cila iu kishte dalë në mbrojtje shqiptarëve që emigrojnë drejt MB-së, kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk është e drejtë që t’u thuash njerëzve; rrini këtu dhe mos ikni!.
“Më bëri përshtypje një artikull i një gazetareje britanike, për këtë debat. ajo thoshte; vetëm në vendet diktatoriale vënë në diskutim lirinë e njerëzve për të ikur apo për të ardhur. Shqiptarët thoshte- po bëjnë atë që bota e ka bërë qysh në lindje të saj. Po bëjnë atë që ne kur kemi qenë më pak të pasur se sa sot, e kemi bërë shumë më tepër se sa ata në një kohë tjetër. Sot e bëjnë dhe njerëz të këtij vendi, Britanisë, që jetojnë në zona të vështira dhe që vijnë në Londër. E solla këtu për të thënë se është e pamundur dhe nuk është e drejtë që t’i thuhet njerëzve; rrini këtu, mos ikni, sepse këtu është atdheu. Njerëzit janë në të drejtën e tyre, të marrim vendime e tyre, dhe s’jemi në bunkerin e komunizmit që s’na linte të hapnim dritaren e jo më të hidheshim nga dritarja.
Nëse në qytet mundësitë janë më të kufizuara, në fshat janë të pafundme. Pse? Për një arsye të thjeshtë. Nëse në Tropojë vijnë sot, siç janë regjistruar rreth 150 mijë turistë që kalojnë dhe në pika të tjera, atëherë do të thotë se ka një treg për këdo që jeton në fshat. Cili është tregu? Me shtëpinë e vjetër të gjyshit, dhe stërgjyqit, në tokën rreth e rrotull, ke mundësi që ndërtosh një pikë që të tërheqësh disa prej tyre.”, tha Rama.