Kryeministri i vendit, Edi Rama, sqaroi deklaratën e bërë pak javë më parë për studentët ekselentë që do të marrin diplomën tre vite pas përfundimit të studimeve në Shqipëri, me qëllim frenimin e tyre, që mos të largohen nga vendi.
Rama theksoi se kjo gjë aplikohet nga vende të tjera pasi shtoi se në rast se studentët nuk duan të bëhen pjesë e kësaj skeme, mund të mos e pranojnë bursën që ofron një pagë minimale.
“Kush thotë nuk ka mundësi në Shqipëri nuk thotë të vërtetën, ose nuk di të vërtetën. Nëse do të ndërtosh një gjë tënden është e mundur dhe ka plot që e bëjnë këtë gjë. Edhe pse ka shumë vajza dhe djem që mbarojnë infermieri dhe ikin në Gjermani ne nuk kemi ende mungesë. Kemi listë pritje akoma. Nuk është çështja që nuk jua japim. E bëjnë dhe vende të tjera sepse konsiderohet se diploma e mjekut dhe infermierit nuk është si të tjerat. Kur ti i dedikohesh këtij profesioni merr përsipër edhe jetën e tjetrit. Ka edhe një anë teorike ku duhet të tregosh se je njeriu i duhur për të marrë përsipër jetën e tjetrit.. Mos harroni edhe një gjë që këtë e kemi lidhur edhe me nivelet e bursave. Ne kemi pasur një problem të madh me bursat e ekselentëve.
Qeveria ka marrë një vendim të mirë që nxënësit shqiptarë që shkojnë në universitetet më të mira të botës marrin bursë nga shteti shqiptar. Vendimi ka pasur qëllimi që t’i japim shtetit shqiptar kthimin mbrapsht për një periudhë kohe. Asnjë nxënës nuk ka ardhur. Ia kanë marrë lekët shtetit dhe nuk janë kthyer. Nuk kanë bërë asnjë përpjekje as të thonë që nuk kthehen dot”, deklaroi Rama.