Është mbyllur pa fitues sfida mes Teutës dhe Kastriotit. Të dy skuadrat vijojnë të mbeten të pamposhtur pas këtij barazimi 1-1, kur janë luajtur 6 javë kampionat.

 Si durrsakët apo edhe krutanët, nuk janë mposhtur asnjëherë në këto javë të para. Për të besuarit e Edi Martinit, ky ishte barazimi i 5-të, ndërsa për Kastriotin i katërti.

Miqtë kaluan të parët në avantazh me Okebugun në minutën e 85-të, teksa vetëm 2 minuta zgjati festa e skuadrës së Ndreut, pasi Lorenco Vila barazoi shifrat në të 87-tën.

Trajneri i Teutës, Edi Martini, u shfaq i zhgënjyer pas barazimit të 5-të në këtë kampionat, në sfidën ndaj Kastriotit. Tekniku shkodran analizoi ecurinë jo fortë pozitive të durrsakëve, teksa u shpreh:

NDESHJA- Ishte një ndeshje shumë e vështirë, nuk jam i kënaqur. Nuk dolëm në lojën tonë, bëmë shumë gabime, sidomos në pjesën e parë, kjo edhe për meritë të kundërshtarit. Reaguam në pjesën e dytë, por nuk ishim të rrezikshëm përpara portës. Sot nuk jam i kënaqur me lojën.

MUNGESA E GOLIT? Kemi shumë probleme, brenda zonës së 16 metrave, nuk shkojmë me agresivitetin e duhur për të shënuar. Duhet të ndryshojmë, pasi kemi kualitete për të gjetur golin. Nuk kemi freski dhe qetësinë e duhur në zonën kundërshtare.

GOLI I TË PEZULLUARIT VILA– Unë në krahasim me ndeshjet e tjera, e thashë që kemi pasur vështirësi në qarkullimin e topit. Në pjesën e dytë ndryshuam diçka. Por thashë nuk jemi të kënaqur me qartësinë që kemi. Kemi punuar gjithë javës, por na shqetësojnë metrat e fundit. Vila mbas atij pezullimit kishte grintën e duhur, e ndihmoi skuadrën dhe ekipin. Jemi koshient, që kur ndërron ekip, lojtarët duan kohën e tyre, për të dalë në lojën e tyre.

PRITSHËMËRIT E MËDHAJA DHE NGËRÇI – Ne kemi krijuar ekip për të dalë kampion. Kemi afruar lojtarë shumë cilësor. Është larguar vetëm 1 lojtarë. Duke parë dhe ekipet e tjera, them se është viti i duhur për të dalë kampion. Ne i kemi kualitetet, është një ngërç te goli dhe fitorja. Të gjithë janë të qartë, për grupin dhe lojtarët që kemi. Nuk janë pretendime në ajër, janë të bazuar te grupi dhe lojtarët që kemi. Nga java në javë duhet të shkojmë atje ku duhet.

LARGIMI I KALLAKUT- E dimë çfarë na ka bërë largimi i tij, mos ta mbajmë mendjen te Kallaku, na ka dëmtuar realisht, por kemi marrë lojtarë cilësor në ekip, humbjet e rasteve dhe fati s’ka qenë me ne. Kampionati është i vështirë, rruga është shumë e gjatë, jemi rrotë më rrotë deri ditën e fundit për ta fituar ndeshjen.