Një 32-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi u kap në flagrancë duke tregtuar celularë kontrabandë.

Arrestimi i shtetasit B.K u bë në lagjen ‘Don Bosko’ në kryeqytet ku ai kishte dhe biznesin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 36 aparatë celularë të llojeve të ndryshme, të cilët ishin të kontrabanduar.

NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Phones 5”. Sekuestrohen 36 aparate celulare, vihet në pranga 32-vjeçari që i tregtonte në dyqanin e tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të kontrolleve të dedikuara, në subjekte të ndryshme tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e krimeve ekonomiko-financiare, në kuadër të operacionit policor të koduar “Phones 5”, kanë goditur një rast tjetër të tregtimit të mallrave të kontrabanduara. Si autor i dyshuar i kësaj veprimtarie të kundërligjshme, u arrestua shtetasi:

– B. K., 32 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin në pronësi të 32-vjeçarit, në rrugën “Don Bosko”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 36 aparate celulare të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara.