Jo më larg se java e ardhshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i afrohen shifrës së trishtë prej 3 mijë të vdekurish në ditë si pasojë e koronavirusit, duke kaluar kështu numrin e viktimave të shkaktuara nga sulmet e 11 shtatorit.

Është ky parashikimi i disa ekspertëve amerikanë bazuar në shifrat e fundit të vdekjeve, ku të mërkurën u raportuan më shumë se 2.800 viktima.

“Do të jetë një 11 shtator çdo ditë”, ka thënë Jonathan Reiner, docent i mjekësisë në Universitetin “ George Washington”, duke nënvizuar se ende priten pasojat e fundjavës së ditës së falënderimeve.