Nga BUJAR QESJA
E pabesueshme njoftimi për largimin nga jeta, të shokut tonë që nga rinia e hershme e deri tani Besnik Perollit. Shprehem e pabesueshme, pasi kemi qendruar së bashku deri para pak ditësh dhe nuk e ndjeva se ishte në rrezik jete. Ka pak javë që publikova një shkrim kushtuar krijuesit të plastikës shqiptare, të mirnjohurit Osman Perolli, babai i Besnikut. Shkrimi e gëzoi pa masë shokun tim të respektuar.
-Nuk do ta harroj Bujar, këtë nder që më bëre! Ma ringjalle babain! Nuk mund ta marësh me mënd, se sa më ke gëzuar!
Diku tek ish mobileria e vjetër, e takoja duke pirë kafe me miq dhe të njohur të tjerë. Ashtu i qetë, i urtë, plot humor, duke mos iu hequr buzëqeshja nga fytyra. Qante me shpirt, për largimin nga jeta të së motrës Dashuri Perollit para dy vitesh në Angli. E vetme që i kish mbetur nga familja e origjinës. Më tregonte një plagë në kokë, por ishte optimist se do t’i mbyllej.
Priste të shkonte në Belgjikë, pasi do ti mblidhte vajza atje. Një shërbim i gjatë në kohë, si punonjëse e Bankës Botërore me qendër në Amerikë, e bija do të merrte prindërit për të jetuar së bashku. Besniku mezi po e priste këtë rast.
-Më vjen keq, i thashë në një nga ditët e fundit, që nuk do të shihemi për një kohë relativisht të gjatë. Nuk po qendrojmë shumë me njëri tjetrin, po të paktën shikohemi.
Besnik Perolli lindi në Prishtinë, me 17 shkurt të vitit 1951. Mbaroi studimet për biologji kimi dhe punoi tërë kohën e punës, në rezervuaret e rritjes së peshkut artificialë. Zotëronte në prefeksion gjuhën angleze, franceze, turke etj. Ruante marëdhënie shumë të mira me durrsakët dhe ishte i preferuar në shoqëri. Njeri i gjindshëm, “të nxirrte nga prita” siç thuhet në urtësinë popullore. Jetonte ndërmjet Durrësit dhe Stambollit. Por aktiv dhe asnjëherë nuk e shikoje vetëm. Veçanërisht brezi im, ruajmë kujtime dhe mbresa të veçanta për Besnik Perollin, djalin e çiftit të njohur në Durrës dhe jo vetëm Osman dhe Drita Perolli. Djali dhe vajza po e nderonin. Kanë krijuar reputacionin e tyre në Amerikë dhe veçanërisht e bija mbetet ekonomiste që e nderon Shqipërinë, në të gjitha asistencën financiare që jep në Europën juglindore dhe gjetkë si përfaqësuese e Bankës Botërore.
Besniku gëzohej për familjen e tij. E shoqja Lindita Seraili, ekonomiste e njohur në Uzinën Elektromekanike. Vajza Bujana dhe djali Arbëri, përbënin familjen e shëndoshë Perolli, që ruan vlerat më të arrira të qytetarisë durrsake.
Sipas informacioneve që arrijmë të marim, para 4-5 ditësh Besnik Perollit i është çfaqur një anemi akute. Shenjat i ka patur para dy vitesh, por gjithçka ishte vënë në kontroll. Por rasti i fundit ishte i papritur. Kjo e detyroi familjen, ti drejtohej mjekimit të specializuar në Stamboll -Turqi. Por goditja ishte fatale. Besniku, shoku ynë i shtrenjtë, i mrekullueshmi ynë nuk ia doli, duke na bërë të ulim kryet para kësaj fatkeqësie dhe shumë të papritur.
Nuk doja t’i besoja lajmit. Madje rezistova, se do të jetë dhënë gabim. Por konfirmimet e fundit, i japin fund dyshimeve. Besnik Perolli, ndali frymëmarjen në minutat e para të ditës së 21 nëntorit 2022 në Stamboll. Ai do të tretet në dheun e Durrësit të tij. Mund të ndajnë një varr të përbashkët me babain, Osman Perollin, që aq shumë e donte.
Shpejt na ike Besnik, që i mbete besnik dhe e ruajte të çmuar miqësinë, veçanërisht me shokët e rinisë së parë! Kjo zemra e jonë, po mbushet sa nuk mban më, me lajmë të tilla të kobshme. Po na coptohet. A mund të mësohemi dot? Nuk e di.
Lamtumirë Besnik Perolli! Lamtumirë kujtesa jonë e paharruar!