Gazetari investigativ Artan Hoxha në një intervistë televizive ka folur në lidhje me laboratorin e drogës të zbuluar në Fier në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK, dhe në bashkëpunim me Policinë malazeze dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Hoxha tha në “Abc neës” se ka një laborator tjetër në jug të vendit, i cili është funksional, ndërkohë që sipas tij, laboratori që u gjet në Fier ende nuk ishte vënë në punë, pasi nuk ishte nxjerrë kokaina nga thasët me pleh kimik.
“Gjatë gjithë këtij viti kam folur për një laborator tjetër në jug të vendit dhe nuk është ky. Ky nuk u vu në funskion, po të ishte vënë në funksion do të ishte nxjerrë kokainë”, tha Hoxha.
Gazetari shtoi gjithashtu se zona ku u gjet laboratori është mjaft e rëndësishme, pasi Frakulla e Madhe është një nga komunat më të mëdha në vend dhe si rrjedhojë ish-kryekomunari është një personazh i rëndësishëm për zonën.
“Uroj që SPAK të ketë gjetur edhe fije të tjera, kush i ka ndihmruar qoftë me dijeni qoftë pa dijeni, me idenë që po ndihmojnë një personazh të rëndësishëm”, tha gazetari.