Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri të ditur sot se sasia e kokainës e cila ishte përzier në 24 tonë pleh kimik, i sekuestruar gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmë, mund të arrijë në 430 kilogramë. Vlera e saj në treg, sipas prokurorëve shkon në 40 milion euro.
Ndërhyrja e realizuar në bashkëpunim me autoritetet malazeze, është finalizim i një hetimi disa mujor. Përgjatë kësaj kohe, të gjitha lëvizjet e ngarkesës, që nga momenti që ajo ka hyrë në territorin shqiptar, janë mbajtur nën mbikqyrje, për të bërë të mundur zbulimin e rrjetit të përfshirë në këtë linjë trafiku. Prokurori Adnan Xholi, tha sot se të gjithë pjesmarrësit, që nga financuesi, organizatorët dhe pjesëtarët e tjerë me role të ndryshme, në total, 10 persona, janë arrestuar. Në kërkim është një shtetas kolumbian, i cili do të angazhohej për të bërë të mundur ndarjen e kokainës nga plehu kimik.
Sinjalizimi për sasinë e drogës, kishte mbërritur nga Dea amerikane. Prokuroria shpjegoi se në muajin maj 2022, ngarkesa është nisur nga Kolumbia “nëpërmjet një anije transporti, për në portin e Pireut/Greqi, dhe ka mbërritur në fillim të korrikut 2022, e prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Barit të Malit të Zi, dhe në territorin shqiptar është transportuar me kamion në muajin shtator 2022”.
Ngarkesa me “pleh kimik” është zhvendosur në mjedise të ndryshme, në disa qytete të vendit, për t’u grumbulluar më pas në Frakull të Madhe, në zonën e Fierit, aty ku do të bëhej dhe ndarja e kokainës. “Ne kemi sekuestruar 24 ton, ngarkesë, aq sa është futur në Shqipëri”, deklaroi prokurori Xholi. Banesa ku është gjendur droga e fshehur në thasët me pleh, i përkiste ish kreut socialist të komunës Viktor Çervanaku, aktualisht i punësuar në një nga ndërmarrjet e sistemit energjitik në Tiranë. Ka qenë vëllai i tij, Zenel Çervanaku, ai që kishte porositur ngarkesën porositës i ngarkesës, pasi në janar të këtij viti kishte rregjistruar në emrin e tij një kompani që kishte ndër të tjera si aktivitet edhe “Import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike dhe mallrave të ndryshme, me adresë në Tiranë. Ndërsa si financues i ngarkesës rezulton të jetë Nikolin Gjolena./ VOA