Dylaver Shirja, është një tjetër shqiptar i suksesshëm në botë, që ashtu si dhjetëra emra paraardhës, ka marrë me vete kudo ku ka shkuar, guximin, vullnetin dhe krenarinë e të qenurit shqiptarë.

Ai është nga Durrësi, por jeton prej vitesh në shtetin përtej Adriatikut, Itali.

Në fillim të dhjetorit garon në Abu Dhabi, në një disiplinë interesante të atletikës, Spartane Race, ndërsa shpjegon për “DurrësLajm” vështirësitë profesionale të kësaj paraqitje.

Ai rrëfen se do t’i duhet të vrapoj 21 kilometra në shkretëtirë, në temperatura të larta duke kapërcyer pengesa, ndërsa zbulon se në këtë garë ka zgjedhur të përfaqësoj Shqipërinë. Fillimisht, objektivi i tij ishte të bëhej pjesë e këtij sporti, ndërsa tani duket se jeta i ka marrë një tjetër drejtim.

I larguar që në moshë të vogël nga Shqipëria, ai ka gjetur këtë formë për ta përfaqësuar vendin edhe përtej kufijve fizik.

Sipas tij, sporti të përpunon edhe mendërisht, duke të shtyrë drejt njohjes së jetës nga perspektiva të tjera.

H.H.