Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ishte pesimist për ekonominë e Shqipërinë. Në emër të PD, ish-deputetja Jorida Tabaku tha raporti i FMN për ishte i qartë dhe i prerë; ai tregon katastrofën në të cilën ndodhen financat publike dhe ekonomia.
“Shqipëria ka paketën më të ulët në rajon për mbështetjen e pandemisë dhe kjo ka rezultuar në impaktin më të madh negativ të krizës në xhepat e shqiptarëve dhe buxhetin e shtetit”, shtoi ajo.
Një tjetër pikë problematike që theksohej nga FMN sipas PD është dhe recesioni që pritet ti ndodhë ekonomisë.
“Kriza që ka prekur xhepat e shqiptarëve dhe më tej gjithë ekonominë e vendit përkthehet në një krizë të madhe që do të shoqërohet me një recesion ekonomik sa 7.5% e PBB-së. Kjo do të thotë një krizë edhe më e thellë në tavolinat e shqiptarëve, një rënie e të ardhurave në xhepat e qytetarëve, më shumë biznese të mbyllura dhe më shumë të papunë”, tha Tabaku.
Më tej ajo tha se kjo krizë e ka emrin depresion, dhe shtoi se po thellohet nga keqmanaxhimi i Ramës dhe se do bjerë dhe më tej Prodhimi i Brendshëm Bruro.
“Vendi do të përballet që në fillim të 2021 me një borxh publik sa 81.9% e PBB-së pa përllogaritur detyrimet ndaj PPP-ve”, shtoi ish-deputetja e PD.





