Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i vetmi që nuk reagoi për dhunën ndaj kryedemokratit Sali Berisha në protestën e djeshme të opozitës.
Reagimin e parë e bëri mbrëmjen e sotme teksa ndezi dritat e Pemës së Krishtlindjes te Kalaja e Tiranës.
Edhe pse nuk e përmendi me emër kryedemokratin Berisha, Veliaj tha se dhuna ishte e shëmtuar.
“Para se të them një gjë për fëmijët, dua të them një gjë për të rriturit, për prindërit që janë këtu edhe për të gjithë gjyshërit, e gjyshet, e mamatë dhe baballarët, edhe për babagjyshin që ka ardhur këtu.
Ne kemi pasur një vit fantastik në Tiranë. Tirana nesër lë stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë.
Ndërkohë sot në Bruksel morëm stafetën që vitin tjetër të jemi “Qyteti Europian i Sportit”, po ndodhin shumë gjëra të bukura, apo ajo? Në fakt e vërteta është që jo të gjithë gjërat janë të bukura.
Kur ti shikon a ke dhune si ato që pamë dje, ajo nuk ishte një gjë e bukur.
Nuk ka rëndësi ndaj kujt, nuk ka rëndësi mosha, nuk ka rëndësi nëse jemi dakord politikisht, apo kundër politikisht, të godasësh qoftë gruan në shtëpi, qoftë një të moshuar në rrugë, qoftë një fëmijë në klasë, janë sjellje jo civilizuese,”- u shpreh Veliaj.