Një 35-vjeçar është vënë në pranga në Elbasan. Ai ka kanosur një qytetar dhe i ka marrë 400 mijë lekë të rinj.
“Nga veprimet hetimore rezulton se 35-vjeçari, në bashkëpunim me të tjerë, ka kanosur një shtetas, për dhënien e 400 000 lekëve të rinj, shumë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një celular dhe me biçikletën me të cilën lëvizte i arrestuari”, njoftoi policia.
Operacioni për kapjen e 35-vjeçarit u quajt “Shifra”. I arrestuari është banues në Tiranë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, si edhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.





