Qeveria çeke njoftoi sot rihapjen e tregjeve, restoranteve dhe muzeve më 3 dhjetor në të gjithë vendin, ku epidemia e koronavirusit të ri ka filluar të ngadalësohet.
“Republika Çeke do të kalojë nga niveli katër në nivelin tre (sistemi i kufizimeve me pesë nivele) dhe kjo do të ndodhë javën e ardhshme”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Jan Blatny për shtypin.
Përgjatë një muaji, Republika Çeke, me 10,7 milionë banorë, ka qenë vendi që ka regjistruar nivelin më të lartë të kontaminimeve me COVID-19 dhe të viktimave në Europë.
Numri i rasteve ditore me COVID-19 ka filluar të ulet në sajë të kufizimeve të vendosura në mes të tetorit duke arritur në rreth 5 000 nga 15 000 muajin e kaluar.
“Ne presim një përmirësim edhe më të madh javën e ardhshme”, shtoi Blatny.
Dyqanet që shesin mallra jo-thelbësore, sallonet e parukerive, baret, restorantet, muzetë dhe galeritë do të mund të hapen me kufizime. Teatrot dhe kinematë do të vazhdojnë të qendrojnë të mbyllura.
Kalimi në nivelin tre nuk do të ndryshojë asgjë për shkollat. Universitetet do vazhdojnë të qendrojnë të mbyllura, ashtu si të gjitha shkollat e mesme, me përjashtim të viteve të fundit.