Të paktën 30 pjesëtarë afganë të sigurisë janë vrarë si pasojë e një sulmi vetëvrasës me makinë-bombë, në një bazë ushtarake në provincën Gazni të Afganistanit, kanë thënë zyrtarët.
Të paktën 24 persona të tjerë janë plagosur në shpërthimin e 29 nëntorit, i cili ka ndodhur në hyrje të një bazë ushtarake në mëngjesin e së dielës.
Një zëdhënës për Ministrinë e Brendshme afgane ka konfirmuar sulmin me makinë-bombë, mirëpo nuk ka ofruar informacione për viktima.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Provinca Gazni është përballur me luftime të rregullta në mes të forcave afgane të sigurisë dhe militantëve talibanë në muajt e fundit.
Rreth 10 prej 19 qarqeve të kësaj province janë nën kontrollin taliban.
Në gusht të vitit 2018, militantët talibanë kanë kryer një ofensivë të ashpër kundër qytetit Gazni, duke lënë të vdekur qindra ushtarë, militantë dhe civilë.
Më 29 nëntor edhe një tjetër sulm vetëvrasës me makinë-bombë është raportuar në jug të Afganistanit, duke lënë të vdekur të paktën tre persona dhe duke plagosur 12 të tjerë.
Shefi i provincës Attajan Haqbayat, makina e të cilit ka qenë në vendin e sulmit, i ka mbijetuar sulmit me plagë të lehta.