Me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë, presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët.

Në mesazhin e tij, Ilir Meta shprehet se duhet të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë për ta mbrojtur flamurin kombëtar, simbolin tonë të shenjtë dhe përbashkues. Ndër të tjera kreu i shtetit shton se 108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern

Mesazhi i plotë:

Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë!

Të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë për ta mbrojtur simbolin tonë të shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i paprekur, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat e bijtë më të mirë të kombit.

108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Urime për 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit!

Zoti e bekoftë Flamurin Kombëtar dhe shqiptarët kudo ndodhen!