Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se ajo që duam të shohim është një mënyrë politike për të qetësuar gjithçka dhe që situata t’i kthehet normalitetit.
Në një interivstë për Euronews Serbia, diplomati i lartë amerikan u shpreh se Serbia mund të kërkojë kthimin e trupave në Kosovë, por edhe NATO ka të drejtë të thotë “jo faleminderit”.
“Unë do të thosha se rezoluta 1244 përcakton shumë qartë rrethanat në të cilat Serbia mund të kthejë një numër të caktuar të forcave të saj, kjo është thënë qartë atje dhe Serbia, do të thosha, sigurisht që ka të drejtë ta kërkojë, por edhe NATO ka të drejtë të thotë: jo faleminderit”, u shpreh ambasadori Hill.
Për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, Hill tha se e sheh si sinjal pozitiv dhe se u arrit pika ku ata që i kanë vendosur vetë po i heqin.
Ai shton se e kupton shkallën e lartë të zhgënjimit në komunitetin serb në Kosovë dhe se mendon se e gjithë kjo me barrikada është pikërisht rezultat i atyre frustrimeve.
“Por ne po arrijmë në pikën ku ata që i vendosën tani duhet t’i heqin ato. Me njerëzit duhet të flitet dhe kjo është ajo që po ndodh,” tha Hill, duke shtuar se ai gjithmonë “ndiente se zgjidhja më e qëndrueshme dhe më e mirë që barrikadat të hiqen nga njerëzit që i kanë vendosur”.





