Një ditë para natës së ndërrimit të viteve, zv/kryeministrja Belinda Balluku shkoi në aeroportin “Nënë Tereza” për të inspektuar masat për të përballuar fluksin e pasagjerëve në këtë fundvit. Siç u raportua, pritet që nëpërmjet aeroportit të vijnë në Shqipëri rreth 15 mijë pasagjerë për festën e Vitit të Ri. Numri i pasagjerëve në Rinas këtë vit ka shkuar në 5.2 milionë, një shifër që pritej të kapej në vitin 2027.
“Sivjet kemi arritur që të kemi terminalin e ri. Tek po inspektojmë edhe tek pjesa ku ishim më parë, tek siguria, edhe tek gate-t e daljes nuk shikojmë që të ketë pavarësisht se janë 15 mijë udhëtarë që do të përpunohen dhe do të lëvizin, nuk shikojmë që të ketë as radha dhe as problematikë. Kjo vjen si pjesë e shtimit të kapaciteteve, pra nga ngritja e terminalit të ri, deri tek shtimi i pikave të kontrollit kufitar që janë bërë gjatë vitit 2022, dy evente të shënuara për ta bërë gjithë procesin sa më fleksibël dhe pa probleme”, u shpreh Balluku.
Zv/kryeministrja përmendi një tjetër investim të rëndësishëm në aviacionin civil që është aeroporti i Vlorës. Tashmë puna atje është e dukshme, sipas Ballukut, pavarësisht procesit të gjatë.
“Duhet të përmendim patjetër ecurinë me aeroportin e Vlorës. Një ecuri e dukshme tashmë. Një proces i gjatë pasi na është dashur që të ndërmarrim një sërë dëgjesash publike që kanë bërë që qytetarët e Vlorës të angazhohen vetë në atë proces, që gjithë ambientalistët që kanë shprehur shqetësim për lagunën e Nartës të marrin përgjigjet e duhura, pasi ai aeroport është i ndërtuar në një airfield të vjetër, të ndërtuar nga ushtria italiane në vitin 1920, është jashtë zonës së mbrojtur, ka qenë gjithmonë zonë ushtarake dhe kemi marrë masa që këtë studim tua bëjmë të ditur shoqatave ambientaliste shqiptare dhe të huaja. Janë bërë të gjitha dëgjesat. Është bërë projekti, është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit. Kemi një trup të dukshëm tashmë të pistës prej 3.2 kilometrash dhe çfarë është më e rëndësishmja, konsorciumi që po e ndërton ka një partner të rëndësishëm që do të jetë operatori. Është një nga elementët më të rëndësishëm të konserciumit që është aeroporti i Mynihut”, u shpreh Balluku.