Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e “arrestit me burg” për të arrestuarit në lidhje me laboratorin e drogës që u zbulua në Frakull të Fierit, në shtëpinë e zyrtarit të PS-së, Viktor Çervanaku.

Në burg kanë mbetur shtetasit Enxhi Ferhati, Klajdi Vrioni, Redion Meshi, Bledar Matoshi si dhe Julian Malaj.

Kujtojmë se nga hetimet rezultoi se ngarkesa e kokainës ishte porositur në Kolumbi në muajin Maj 2022. Kokaina ishte fshehur brenda thasëve me pleh kimik me peshë 24 ton. Më pas, “ngarkesa” me pleh kimik u nis nga Kolumbia në drejtim të Portit të Pireut në Greqi, dhe më pas me destinacion tranzit në Portin e Barit në Mal të Zi.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 04.01.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 1/41 akti, datë 28.12.2022 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim B.M, E.F., J.M., K.V., M.R., N.Gj., R.M., ndaj vendimit nr. 92 akti, datë 26.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lëndë të masave të sigurimit, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 92 akti, datë 26.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim E.F., K.V. (alias K.K.), R.M., B.M., J.M.